Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka komentuar deklarimet e mediave rreth asaj se Kosova nuk është ftuar në “Samitin e Demokracisë”, duke thënë se jo të gjithë partnerët mund të përfshiheshin në këtë iniciativë.
Sipas Ambasadës Amerikane, Samiti i Presidentit për Demokraci është një nga iniciativat e shumta të ShBA-së që fokusohet në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut në mbarë globin.
“Jo të gjithë partnerët mund të përfshiheshin në këtë iniciativë. Qëllimi ishte bashkimi i një grupi rajonal dhe socio-ekonomik të vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë si demokracitë e vendosura mirë ashtu edhe ato në zhvillim me diversitet të madhësisë së popullsisë, demografisë dhe vendndodhjes”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë për Klankosova.tv.
Tutje, thuhet se ashtu siç ka bërë të ditur edhe Biden në videon e gushtit, Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit, duke ndërtuar një demokraci multientike.
“Si partner i palëkundur i Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për të avancuar dhe forcuar demokracinë, për të parandaluar prapambetjen demokratike, për të promovuar respektin për të drejtat e njeriut dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë ofrojnë për nevojat e tyre”, thuhet në përgjigjen e tyre./GazetaSinjali/