Ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, është takuar sot me drejtorin e organizatës humanitare “Save a Child’s Heart”, Simon Fisher dhe me ambasadorin Dan Oryan, drejtor i departamentit për Ballkan në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë takim ajo thotë se ka arritur marrëveshje që tre fëmijë nga Kosova, të shoqëruar nga nënat e tyre, të shkojnë për shërim në Izrael.
“E mirëprita kërkesën e z. Fisher dhe ambasadorit z. Oryan për bashkëpunim të ngushtë me ambasadën tonë në Jerusalem. Si fryt i këtij bashkëpunimi, tre fëmijë nga Kosova, të shoqëruar nga nënat e tyre, gjatë ditëve në vijim, do të vijnë për shërim në Izrael”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.
Ajo ka falënderuar Fisher dhe Dan Oryan, si dhe shtetin e Izraelit për ndihmën e ofruar për shërimin e këtyre fëmijëve, si dhe për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e ngushtë, për të cilin thotë se është prezent në të gjitha fushat./Gazeta Sinjali/