Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci ka reaguar pas akuzave të paraqitura kundër presidentit Hashim thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli nga Prokurori i Specializuar në Hagë.
Greiçevci ka thënë se akuzat e paraqitura kundër Thaçit dhe Veselit do ta vënë në dyshim serioz pavarësinë dhe profesionalizmin e Gjykatës Speciale, duke theksuar faktin se kjo e fundit publikoi identitetet e dy ish-krerëve të UÇK-së ende pa u konfirmuar aktakuza, shkruan Gazeta Sinjali.
“Njoftimi nga SPO për akuzat e paraqitura kundër Presidentit Thaçi dhe Z. Veseli, përpara se ato të ishin konfirmuar nga një gjykatës dhe me shumë gjasë në kundërshtim me Rregullat e Gjykatës, do të vë në dyshim serioz pavarësinë dhe profesionalizmin e tyre. 1/4”, ka shkruar Greiçevci.
Ai ka theksuar në një tjetër ‘tweet’ se ekziston mundësia që gjykatësi i procedurës paraprake të mos i konfirmojë akuzat. Por sipas tij, dëmi ndaj imazhit të Kosovës tashmë do të jetë shkaktuar.
“Shumica e mediave ndërkombëtare kanë raportuar gabimisht, se Z. Thaçi dhe Z. Veseli ishin akuzuar zyrtarisht. Ende ekziston një mundësi teorike që gjyqtari mund të mos i konfirmojë akuzat. Në atë rast, dëmi i pakthyeshëm do të jetë shkaktuar në imazhin e Kosovës si një shtet i ri. 2/4”, është shprehur ai.
Tutje, Greiçevci ka shkruar se “Të gjithë kanë të drejtë të prezumojnë pafajësinë dhe procesin e drejtë ligjor. Emërtimi publik i individëve, përpara se të konfirmoni akuzat dhe madje edhe të rendisni krimet për të cilat dyshohet se janë përgjegjës, do të bëhen gjyqtar dhe juri. Kjo nuk është ajo për të cilën kemi nënshkruar kur krijuam Gjykatën. 3/4”.
Në ‘tweet’-in e fundit, Greiçevci ka shkruar se Dhomat e Specializuara kanë detyrë të veprojnë sipas ligjit të Kosovës.
“Dhomat e specializuara themelohen nga Kosova, përmes një amendamenti kushtetues dhe Aktit të Parlamentit. Ata kanë për detyrë të veprojnë sipas ligjit të Kosovës dhe praktikave më të mira të BE-së dhe Intl. Një shpjegim nga Presidenti i KSC është thelbësor për të mbrojtur besueshmërinë e Gjykatës. 4/4”, shkruan ai.
Thaçi dhe Veseli akuzohen për rreth 100 vrasje. /Gazeta Sinjali