Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani thotë se vendi tani ka nevojë për psikologë dhe trajtime mjekësore, për personat e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Njerëzit thotë ai se janë traumatizuar dhe kanë nevojë të trajtohen, e gjithashtu ka nevojë për ekipe që bëjnë vlerësimin e objekteve, në mënyrë që të dihet se cilat janë të qëndrueshme për banim.
“Këtu kemi nevojë tash për tash mjek me pas, për terapi që njerëzit janë në panik, do të thotë psikolog që i duhen për trajtim dhe të njëjtën kohë, që ata njerëz kemi mundësi me i dërguar në spitale të ndryshme në Prishtinë apo Kosovë apo kudo t’i trajtojmë, dhe njëjtën kemi nevojë këtu me ardh me i pa që nesër do të vjen ekipe tjetër e specializuar për matje të objekteve, a janë të qëndrueshme apo jo, cilat objekte mund të kthehen për banim, ose nuk mund te kthehen për banim”, tha ai.
Hasani thotë se është e nevojshme të konfirmohet qëndrueshmëria e objekteve ndërkohë që sot, ekipet e forcës së sigurisë së Kosovës do të dalin në terren për të bërë vlerësimet.
…Janë vlerësime që duhet bëhen dhe të shohim cilat janë mundësitë tutje. Ne jemi të gatshëm për ndihmë, t’u dalim në ndihmë bashkëkombësve tonë të një gjuhe e të një gjaku”.
Ekipet e forcës së sigurisë së Kosovës kanë mbërritur në Shqipëri menjëherë pas tërmetit ndërkohë që një ditë më parë, presidenti Thaçi tha se pas bisedës me kryeministrin shqiptar Edi Rama, do të niseshin edhe ekipe të tjera të kësaj force për të ndihmuar atje ku është e nevojshme./Gazeta Sinjali/