Sot ka hyrë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar, i cili rregullon në detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.
Ambasadori gjerman Christian Heldt përmes një videoje ka thënë detaje në lidhje me këtë ligj.
“Ligji i ri i Migracionit në Gjermani i cili sot ka hyrë në fuqi është një rregull që vlen në mbarë botën. Kjo është një rregull për fuqi punëtore të kualifikuar, e cila mund ta organizojë migrimin në Gjermani në bazë të kësaj rregulleje të re ligjore. Por fuqi e kualifikuar punëtore do të thotë të kesh kualifikim profesional në cilindo sektor, i cili që duhet të njihet në Gjermani përpara se të mund të parashtrohet një kërkesë për vizë”, tha ambasadori Heldt.
Heldt gjithashtu ka theksuar se në këtë çështje Gjermania ka synim të ndihmojë Kosovën ngase sipas tij kualifikimet e reja që do të merren në Gjermani më vonë mund të barten në Kosovë.
“Në gjithë këtë, prioritet për ne është që kjo ndërlidhet edhe me idenë e migrimit qarkullues, që do të thotë që kualifikimet e reja, të cilat merren në Gjermani mund të barten më vonë në jetën profesionale në Kosovë për ta zhvilluar edhe më tej ekonominë e këtushme. Edhe në këtë pikë Gjermania këtu në Kosovë ka një gamë të gjerë instrumentesh për të ndihmuar në jetën profesionale në vend”, shtoi ambasadori gjerman Christian Heldt.
Ndërsa informata të tjera, mund të gjeni në uebfaqet e paraqitura në fund të videos./ Gazeta Sinjali/