image Ambasadori gjerman në Beograd: BE dhe ShBA s’po tregohen të buta me Kosovën

Politikë

Ambasadori gjerman në Beograd: BE dhe ShBA s’po tregohen të buta me Kosovën

news image

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, nuk pajtohet se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregohen të buta me Kosovën.

Sipas tij, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në shtator, në Gjermani, nuk do të ketë ndryshime thelbësore në politikën e Gjermanisë ndaj Serbisë.

Ambasadori gjerman nuk u pajtua me gazetarin e mediumit serb “Kurir” (medium i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq), kur ai e pyeti nëse BE dhe ShBA po tregohen të buta ndaj Kosovës.

“Ne presim që të dyja palët t’i qasen këtyre negociatave në mënyrë konstruktive dhe ne jemi duke informuar qartë autoritetet, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë. Sigurisht, është e rëndësishme që të ketë një nivel të caktuar të besimit të ndërsjellë nga të dy palët. Kjo është arsyeja pse është mirë që presidenti (Aleksandër) Vuçiq dhe kryeministri (Albin) Kurti u takuan personalisht”, tha Schieb.

Ai theksoi se është e rëndësishme që të dy palët ta respektojnë parimin e marrëveshjes dhe zbatimit.

I pyetur për mundësinë e përfshirjes së Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori gjerman kujtoi se Kombet e Bashkuara e kanë autorizuar BE-në që të ndërmjetësojë në dialog dhe theksoi se amerikanët konfirmuan gatishmërinë e tyre për ta mbështetur këtë proces nën ndërmjetësimin e BE-së.

“Do të ishte mirë që sinjale pozitive të mbërrinin gjithashtu nga Moska”, tha ai.

Schieb gjithashtu iu referua shfaqjes së shumë “non-papers” në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe theksoi se pozicioni i Gjermanisë është i qartë – nuk ka ndryshime kufijsh sepse, siç tha, kjo do të krijonte probleme shtesë në vend të zgjidhjes së atyre ekzistuese, të cilat do të rezultonin në destabilizim të rrezikshëm të rajonit.

“Ndonjëherë diskutimi i drejtuar emocionalisht rreth të ashtuquajturve ‘non-papers’ me origjinë të papërcaktuar, është i përshtatshëm për ta larguar vëmendjen nga tema të rëndësishme, që e përfaqësojnë një sfidë dhe kjo është përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe pajtimi me vendet përreth”, tha ambasadori gjerman./Gazeta Sinjali/