Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott ka treguar përshtypjen që e ka krijuar për Kosovën përgjatë 4 muajve prej kur është emëruar si ambasador.
Abott ka përmendur disa nga momentet më të mira të kaluara në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Gjatë kësaj sezone festive do të dëshiroja të ndaja me ju disa mendime dhe përshtypje nga katër muajt e parë në Kosovë. Ky është një vend me plotë jetë, i ri dhe me shumë potencial. Jam shumë falenderues për mikpritjen e ngrohtë që une dhe familja ime kemi pranuar këtu”, ka shkruar Abott.
“Ka qenë kënaqësi dhe privilegj të kaloj kohë me burrat dhe gratë e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë muajve të kaluar. Ata përfaqësojnë më të mirët e Kosovës: profesionistë, të aftë dhe nga të gjitha komunitetet. Pjesëtarët e FSK-së kanë qenë ndër të parët që kanë ndihmuar ata në nevojë për shpëtim dhe asistencë pas termetit në Shqipëri muajin e kaluar. Aftësia dhe guximi i tyre është vlerësuar me të drejtë. Ne do të vazhdojmë të përkrahim FSK-në me asistencë dhe trajnime edhe në vitin 2020”, ka shtuar ai.
Përveç tyre, ambasadori Abott ka përmendur edhe rastet e stigmës së dhimbshme të përjetuara në Kosovë.
“Në tetor LSM Sophie, Kontesha e Wessex ka vizituar Kosovën, ku u takua me të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt, duke theksuar rëndësinë e kësaj çështje. Në javët e kaluara ne kemi ndëgjuar për raste të dhimbshme të stigmës që po vazhdon të ndikojë te viktimat e pafajshme, edhe brenda familjeve të tyre. Është koha që të gjithë ne t’a ngrisim zërin për të drejtat dhe dinjitetin e viktimave të këtyre krimeve të tmerrshme, të ju ofrojmë përkrahje, solidaritet dhe t’i pranojmë ata”, ka shkruar ambasadori britanik.
Moment të veçantë për të, ambasadori Abott e ka cilësuar edhe ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Anglisë të zhvilluar në Prishtinë.
“Vikendi kur është mbajtur ndeshja e futbollit në mes Kosovës dhe Anglisë në nëntor, do të jetë përgjithmonë një kujtim i veçantë për mua. Ngrohtësia e mikpritjes për tifozët Anglezë ishte më e mira që ata kanë pranuar kudo në botë, dhe unë ende ndihem shumë i privilegjuar që kam pasur mundësinë t’a përjetoj si Ambasador Britanik këtu. Pavarësisht rezultatit të lojës, kjo ngjarje ka ripërtërirë afërsinë në mes dy vendeve tona”, ka shkruar ai.
Në fund, ambasadori ua ka uruar vitin e ri kosovarëve, duke u uruar atyre gëzime dhe prosperitet. /Gazeta Sinjali/