image Ambasadori amerikan shpërndan postimin e Kurtit për Ukrainën: ShBA-ja dhe Kosova qëndrojnë të bashkuara

Politikë

Ambasadori amerikan shpërndan postimin e Kurtit për Ukrainën: ShBA-ja dhe Kosova qëndrojnë të bashkuara

news image

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka shpërndarë postimin e kryeministrit Albin Kurti, në të cilin shefi i Qeverisë së Kosovës shprehu përkrahje për Ukrainën dhe publikoi fotografi të flamurit të Ukrainës në ndërtesën e Qeverisë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova qëndrojnë të bashkuara me Ukrainën”, shkroi ambasadori amerikan në një postim Twitter.

Ndërkohë, në postimin e kryeministrit Kurti, që u shpërnda nga ambasadori amerikan, thuhet: “Pavarësisht se sa të errëta janë kohët dhe sa e vështirë përpjekja, historia e favorizon të drejtin. Në këtë kohë kritike për popullin ukrainas, ne e ndriçuam ndërtesën e qeverisë për ta shfaqur solidarizimin e popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës”.

Ndërkaq, tensionet në Ukrainë janë të larta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur pranë homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba, në Uashington, paralajmëroi se kriza e tanishme është “kërcënimi më i madh për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore”.

/GazetaSinjali/