image Ambasadori amerikan shkon në selinë e VV-së, takohet me Kurtin

Kosovë

Foto/ Ambasadori amerikan shkon në selinë e VV-së, takohet me Kurtin

news image

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka shkuar në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ku është takuar me kryetarin e kësaj partie, Albin Kurtin.

Takimin Kosnett-Kurti e ka njoftuar VV-ja përmes një postimi, shkruan Gazeta Sinjali.

VV thotë se Kosnett është shprehur i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe pjesmarrjen e lartë të qytetarëve në vendvotime.

“Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas VV-së, Kurti e ka siguruar Kosnettin se do të jetë kryeministër i të gjithëve, duke e njoftuar atë me prioritetet e tij.

“Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë”, njofton VV.

https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/10156208520462000

Partia e Kurtit po prinë në rezultatin e zgjedhjeve, derisa kanë mbetur vetëm 0.10% të votave pa u numëruar.VV ndiqet nga LDK-ja. Ndërkaq partitë e ‘luftës’, PDK, AAK dhe Nisma, kanë pësuar disfatë të rëndë me këtë të fundit që nuk dihet nëse do ta kalojë pragun zgjedhor. /Gazeta Sinjali/