Ambasada e Japonisë në Kosovë ka nënshkruar pesë grante për projekte me vlerë 348 mijë e 84 euro me qëllim të implementimit të projekteve për qytetarët e Kosovës në pesë komuna.
Sipas komunikatës, Ambasada japoneze projektet do t’i mbështesë për rinovimin e ndërtesës së institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë” Prishtinë (73,963.00 euro). Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë mjedisin arsimor për fëmijët e moshës 1-3 vjeç, duke ndërhyrë në infrastrukturën e përgjithshme të parashkollorit.
Projekti për sigurimin e një automjeti zjarrfikës për Komunën së Podujevës në vlerë prej 69 mijë e 920 euro. Qëllimi i projektit është dhurimi i një kamion zjarri sulmues që do të përmirësojë shërbimin e zjarrfikësve dhe shpëtimit në komunën e Podujevës, do të përmirësojë kohën e reagimit, të rrisë efikasitetin përsa i përket mbulimit dhe kohës së reagimit dhe ndërhyrjeve ndaj zjarrit dhe shpëtimit në këtë komunë.
Projekti për ndihmë në pajisje, për sigurimin e një traktori shumëfunksional për komunën e Novobërdës në vlerë prej 74 mijë e 56 euro. Projekti do të përmirësojë transportin publik dhe komunikacionin gjatë sezonit të dimrit përmes rritjes së kapaciteteve për heqjen e borës dhe sezonit veror për furnizimin me ujë në rrugët lokale të komunës së Novobërdës.
Projekti për ndihmë departmentit të zjarrfikësve në komunën e Suharekës përmes sigurimit të një kamioni të ri zjarrfikës në vlerë prej 70 mijë euro. Kjo do të bëjë të mundur që departamenti i zjarrfikësve të jetë në gjendje t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve në rast zjarri, në zonat urbane dhe periferike të Suharekës, si dhe duke përfshirë edhe Autostradën nacionale Prishtinë – Prizren.
Projekti për ndihmë në deminimin në komunën e Mitrovicës, përkatësisht në fshatin Bare në vlerë prej 60 mijë e 145 euro. Ky projekt implementohet nga Norwegian People’s Aid po synon konkretisht fshatin Bare në mënyrë që të shmangen aksidentet e mundshme në të ardhmen dhe të bëjë të mundur zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit në këtë anë.
“Në Kosovë, Japonia tashmë ka implementuar projekte qysh përpara se vendi të fitonte pavarësinë. Shuma totale e granteve të Projekteve Japoneze që nga 2010 deri më sot arrin në 2 milionë e 711 mijë e 985 euro për projekte në të gjithë vendin”, thuhet në komunikatë./GazetaSinjali/