Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka dhënë sqarime lidhur me lëshimin e vizave të punës për kosovarët.
Kjo ambasadë për Klan Kosovën ka theksuar se që nga 1 janari 2021 është në fuqi pjesa vijuese e “Rregullores për Ballkanin Perëndimor”, që i bie se deri më 31.12.2023 shtetasit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, kanë një qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi i njohur në Gjermani.
“Kusht për dhënien e vizës mbetet miratimi i Agjencisë Federale të Punës. Brenda një viti kalendarik mund të lëshohen maksimalisht 25.000 miratime për aplikacione të tilla, 5.500 në vit nga të cilat për aplikues nga Kosova. Ky numër korrespondon deri diku me numrin e vizave të kësaj kategorie të lëshuara para pandemisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Vetëm gjatë muajit dhjetor 2021 dhe muajit janar 2022 kjo ambasadë raportohet se ka pranuar më shumë se 100 mijë aplikime nga kosovarët për viza.