Artisti Alkent Pozhegu ka përfunduar mozaikun e dy yjeve të Botërorit Katar 2022, Lionel Messi dhe Kylian Mbappe.
Mozaiku, i bërë me drithëra, shfaq Messin me fanellë të Argjentinës dhe Mbappen me atë të Francës, si dhe numrat 10-të që i bartin.
Pas përfundimit, mediat prestigjioze si AFP, AlJazeera, The Guardian e shumë të tjera, kanë përdorur fotografi nga mozaiku, në prag të finales së madhe, e cila zhvillohet sot nga ora 16:00.
Mbappe do të kërkojë ta marrë në pronësi sërish Kupën e Botës, vetëm në moshën 23-vjeçare, pasi të njëjtën, bashkë me Francën e fituan edhe më 2018. Ndërkohë, Messi do të përpiqet ta vë “qershinë mbi tortë”, pasi që Kupa e Botës është i vetmi çmim i rëndësishëm që i mungon në karrierën e tij.
Franca dhe Argjentina do të luftojnë për Kupën e tretë të Botërorit në historinë e tyre, pasi secila i ka nga dy.