Një person është alivanosur pak më parë në Qendrën e Vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjalizuesi i Gazetës Sinjali ka dërguar pamje ku shihet se mjekët po ofrojnë ndihmën mjekësore për pacientin.
Sinjalizuesi tha për Sinjalin se pas këtij rasti kishte kërkuar që t’i matje tensioni nga ana e personelit mjekësor që gjendeshin në sallë, por që të njëjtit nuk ia kishin ofruar këtë shërbim.
“Kërkova me mu mat tensioni, e s’ma maten se than kem raste urgjente. Se mu trubullu edhe mu kogja shumë. Paramendo një tension s’ma maten se e pash me hupi t’pamit për një kohë e shkun se than kem urgjencë”, tregoi ky sinjalizues për Sinjalin.
Ai ka treguar se këtë kërkesë mjekëve ia kishte bërë pasi ishte vaksinuar, mirëpo të njëjtit kishin refuzuar.
“Masi u vaksionova su ndiva mir u ofrova me mat tensionin masi fillun me lan në gjyst tha na fal se kem raste urgjente edhe iken mu merr me rastin” , përfundoi sinjalizuesi.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili ka thënë se një qytetar gjatë ditës së sotme pas vaksinimit ka pasur presion të ulët të gjakut.
“Sipas informatave nga ekipi mjekësor në 1Tetor një qytetar ka pasur pas vaksinimit hipotension (presion të ulët të gjakut), por jo ndonjë reaksion alergjik. Pas ofrimit të mbështetjes mjekësore ai e ka tejkaluar atë, dhe me kërkesë të tij ka shkuar në shtëpi. Raste të shqetësimeve të lehta si plogështi, presion i ulët i gjakut, etj. ka pasë edhe më parë, por deri tash nuk ka pasur raste të efekteve të rënda, të ndërlidhura me vaksinën apo vaksinimin”, ka thënë ai për Sinjalin.