image Aliu thotë se Kushtetuesja do ta lejojë Kurtin të kandidojë në zgjedhje - Sinjali

Aliu thotë se Kushtetuesja do ta lejojë Kurtin të kandidojë në zgjedhje

news image

Ndonëse aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese ua ndalon kandidimin për deputetë personave që kanë qenë të dënuar, me një vendim të formës së prerë, gjatë tri viteve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje sot njoftoi se kreu i saj, Albin Kurti dhe anëtarja e kryesisë, Albulena Haxhiu, do të kandidojnë në këto zgjedhje.

Anëtari i kryesisë së LVV-së, Liburn Aliu, ka thënë se ky aktvendim është nxjerrë me qëllim që ta ndalojë fitoren e VV-së, e cila, sipas tij, do ta ndryshojë rrënjësisht sistemin qeverisës në Kosovë.

“Ne e dimë që kemi përballë vetes një sistem i cili pret të ndryshohet rrënjësisht. E dimë se nuk dëshiron ky sistem të mbesë kështu përjetësisht. Po heziton të bie në dorën e VV-së e cila dihet se do ta ndryshojë. Një sistem ku i varfëri vazhdon të varfërohet dhe i pasuri vazhdon të pasurohet. Këtij sistemi i ka ardhur fundi dhe është i gatshëm të ndërrohet. Dhe kjo përbën shqetësim për sistemin. Andaj nuk ka çfarë të bëjë tjetër vetëm se të krijojë ndonjë precedent që të na ndalojë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i këtillë”, tha ai në T7, përcjell Gazeta Sinjali.

Ai thotë se Gjykata Kushtetuese është e ndikuar nga politika dhe se kjo gjykatë do të lëshojë pe rreth këtij aktvendimi, për shkak të presionit të madh të qytetarëve.

“Është gjykatë e ndikuar nga politika. Presioni i madh i qytetarëve ndaj padrejtësive ka bërë që të lëshojë pe. Por përsëri vazhdon me këso vendime. Ju kujtohet edhe për Zajednicën. Ishte presioni i qytetarëve që e demaskoi atë. Edhe Qeveria Hoti ishte kot sa më nuk ka. Do të çuditesha po të thonin ndryshe këta. Por ishte edhe presioni që e bëri të veten. Kur ka një frymë të tillë është vështirë të ndalet”, shtoi ai./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin