image Aliu: Jemi afër koalicionit parazgjedhor me LDK-në

Politikë

Politikë/ Aliu: Jemi afër koalicionit parazgjedhor me LDK-në

news image

​Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë afër një koalicioni parazgjedhor, ndërsa është afruar edhe momenti kur do të flasin për pozitat.

Kështu ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu në një konferencë për media, ku ka folur për degradimin e lumenjve.

Sipas Aliut, një koalicion i tillë është mundësia e vetme që para zgjedhjeve të ketë garanci që do ketë ndryshim të madh në vend.

Ne vazhdimisht po zhvillojmë takime me përfaqësues të LDK-së, me idenë që para zgjedhjeve të ketë garanci që do ketë ndryshim të madh në këtë vend. Njëra nga mundësitë që të sigurohemi se do të ketë ndryshim të madh në këtë vend është çështja e koalicionit parazgjedhor. Këto mundësi po diskutohen dhe besoj do ketë rezultate. Nuk është hyrë në detaje për çështjet e pozitave dhe detaje tjera por jemi në rrugë që diçka e tillë të ndodhë”, tha ai.

Sa i përket problemeve që sipas Lëvizjes Vetëvendosje po vijojnë me degradimin e pellgjeve lumore në kurriz të banorëve, Aliu tha se punimet në hidrocentrale janë duke u bërë me shkelje të shumta ligjore dhe pa analiza ujore e mjedisore.

Sipas tij, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor arsyetohet se nuk ka mandat të marre vendime për shkak se janë në pritje të përgjigjes nga Gjykata kushtetuese, teksa u shpreh se kur bëhet fjalë për dhënie të lejeve dikasteret funksionojnë shumë mirë.

“Inspektorati për ujërat dhe Autoriteti i pellgjeve lumore në MMPH nuk mund të fshihen pas faktit që nuk dihet a kanë ministër a jo. As pas ZRRE-së. Ligji për ujërat i njeh ata përgjegjës për të vepruar. Respektivisht për të ndalur punimet aty ku po dëmtohen pellgjet lumore, apo ka raportim për degradim e shkelje të autorizimeve. Andaj, t’i ndalojnë këto punime. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mjedisin por bëhet fjalë për drejtpërdrejtë jetën dhe ekonominë e qytetarëve dhe për këto shkelje duhet ta kenë të qartë se nuk do të mund t’i shpëtojnë hetimit dhe drejtësisë”, tha ai.

Derisa në ministri përpiqen të arsyetojnë heshtjen, sipas tij, në terren po vazhdojnë punimet.

Ai theksoi se në Shtërpcë dhe Viti po vazhdon të punohet që të fusin plotësisht lumenjtë në gyp. E sipas tij, është e pakuptimtë se cila mendje ka marrë atë vendim për t’i futë në gyp ata lumenj, ndërsa tha se këtu ka vend për hetime.

Në fund, Aliu tha se situatë e rënduar po mbretëron edhe në Lumbardh të Deçanit./Sinjali/