Alexander Schallenberg njoftoi sot se do të largohet nga posti i kancelarit austriak sapo Partia e tij Popullore konservatore të binte dakord për liderin e saj të ardhshëm.
Ky njoftim i Schallenberg erdhi disa orë pasi Sebastian Kurz tha se po largohej nga të gjitha angazhimet politike.
“Nuk është qëllimi im dhe nuk ka qenë asnjëherë qëllimi im të marr funksionin e kreut të partisë federale të Partisë së Re Popullore. Unë jam i bindur se të dyja zyrat – kreu i qeverisë dhe kryetari i partisë federale të partisë më të fortë në Austri – duhet të ribashkohen”, tha kancelari Schallenberg në një postim në Twitter.
Schallenberg kishte marrë postin e kancelarit në tetor nga Kurz, i cili dha dorëheqjen si lider i vendit por që vazhdoi të udhëheqte partinë. Ndërsa, sot Kurz tha se do të largohet nga politika dhe se e kishte në plan të kalonte më shumë kohë me djalin e tij të porsalindur.
Kurz po vazhdon të hetohet për korrupsion nën dyshimin se ai përdorte paratë publike për të korruptuar anketuesit dhe gazetarët, akuza këto të cilat ai i mohon.