Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar pas vendimit të sotëm të Qeverisë Hoti për hapjen e kufirit Kosovë – Shqipëri, duke e quajtur një aset kombëtar, shkruan Gazeta Sinjali.
Në reagimin e kësaj aleance thuhet se ky kufi nuk guxon të mbyllet asnjëherë, nga asnjë qeveri, pavarësisht rrjedhojave epidemike, biologjike e natyrore, “e lërë më për politika populliste”.
AKB ka propozuar që dy qeveritë shqiptare të bëjnë plane kombëtare për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë.
“Të dy Qeveritë tona duhet bërë plane kombëtare për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, kjo kërkon mbledhje urgjente të Qeverive se si te veprohet si komb, e jo vetëm si dy shtete”, thuhet në reagim.
Tutje kjo aleancë ka thënë se marrëdhëniet e “zbeta” të cilat thotë se i ka krijuar Qeveria Kurti, duhet të “riparohen” me një vizitë të kryeministrit Hoti në Tianë.
“Qeveria e re Kosovës në ditët e para po tregon kreativitet dhe dinamikë të shtuar për të çbllokuar vendin duke hapë kufijt për qarkullim të qytetarëve, mallrave e kapitalit por edhe duke u integruar drejt liberalizimit te vizave. Qeveria e ka obligim kushtetues dhe institucional kthimin e besimit të humbur të faktorit ndërkombëtar, politik, ekonomik e diplomatik sepse deri ketu erdhëm bashkë dhe kjo është rruga e vetme që e shpëton Kosovën e jo injoranca dhe format bllokuese”, përfundon reagimi./Gazeta Sinjali/