Ish-kryeministri Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka treguar se Albin Kurtit do t’ia dorëzojë mandatin ish-zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.
Haradinaj e quan lajm të mirë votimin e Qeverisë së re, të cilën do ta udhëheqë Albin Kurti.
“Nga sot, Kosova ka hyrë në një fazë të re me krijimin e institucioneve. Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë. Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin”, ka shkruar Haradinaj, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka sqaruar se gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se mandatin e kryeministrit do ta dorëzojë Pacolli.
“Në këto ditë, unë po qëndroj për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një agjendë që është caktuar shumë kohë më përpara dhe kësisoj pranim – dorëzimi i mandatit, formalisht do të bëhet nga ana e ZëvendësKryeministrit të parë z. Behgjet Pacolli, të cilën procedurë tashmë e kam autorizuar”, është shprehur ai. /Gazeta Sinjali/