image Albin Kurti takohet me Manfred Weber, flasin për negociatat e LDK-së me VV-në

Takim/ Albin Kurti takohet me Manfred Weber, flasin për negociatat e LDK-së me VV-në

news image

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me deputetët, Glauk Konjufca dhe Fitore Pacolli, priti në takim një delegacion nga BE-ja, të kryesuar nga Kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, i cili ishte i shoqëruar nga nënkryetari i tij dhe deputeti i PE-së, Andrey Kovatchev, asistentja e tij, Nina Tavcar, Shefja e Misionit të BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova dhe Zëvendës Shefi i kësaj zyre, Riccardo Serri.

Në njoftimin e VV-së thuhet se, Weber e uroi Kurtin për fitoren e zgjedhjeve të fundit. Ai u interesua për rezultatin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike, dhe theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga zhvillimet e fundit ku disa shtete shprehën qëndrime të caktuara për hapjen e negociatave është rajon me prioritet të lartë për BE-në.

“Kryetari Kurti u pajtua me Z. Weber sa i përket integrimit të këtij rajoni në BE, dhe e përsëriti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për nevojën e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë dhe sa më parë që të jetë e mundur”.

“Tutje, Kurti e njoftoi atë edhe me prioritetet e qeverisë së re, ku rol qendror ka luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë dhe krijimi i vendeve te reja të punës. Me mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe me investime nga jashtë e sidomos nga diaspora, me sistemin dual të arsimit që e zvogëlon hendekun e shkathtësive, edhe do ta përparojmë Kosovën përbrenda, edhe do të avansojmë drejt BE-së, tha Kurti”, thuhet në njoftimin e VV-së./Gazeta Sinjali/.