Në 14 vjetorin e vrasjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit gjatë protestës së Lëvizjes Vetëvendosje kundër Pakos së Ahtisaarit, kreu i kësaj partie, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varret e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, anëtarët e partisë, aktivistë e familjarë të Xheladinit, Kurti fillimisht bëri homazhe në Podujevë te varri i Mon Balajt, e më pas te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë.
Lideri i VV-së tha se Moni dhe Arbeni janë dëshmorë të vullnetit të popullit për liri.
“Pas homazheve në Besianë te Moni, ne erdhëm këtu te varri i Arbenit që po ashtu të bëjmë homazhe dhe të vendosim lule të freskëta. Arbeni dhe Moni janë dëshmorë të vullnetit të popullit për liri, i cili është i pandalshëm pavarësisht pengesave dhe vështirësive. Besnikëria e VV-së ndaj asaj demonstrate dhe këtyre dëshmorëve është thellë në organizatën tonë, në mendjen dhe zemrën e secilit aktivist”, tha Kurti./Gazeta Sinjali/