image Denoncim për mashtrim në “Albi market”, qytetarëve u shitet "dushk për gogla"

Kosovë

Mashtrim/ Denoncim për mashtrim në “Albi market”, qytetarëve u shitet “dushk për gogla”

news image

Dukuria e mashtrimit të konsumatorëve ka marr përmasa shqetësuese nga ana e supermarketeve në Kosovë.

Pronarët e tyre po i lajthitin konsumatorët me qëllim të joshjes së konsumatorëve dhe përfitimit të biznesit të tyre, duke reklamuar produkte me origjinë të rrejshme të prodhimit.

Një sinjalizues e ka raportuar sot në Gazetën Sinjali një rast të tillë të dyshuar të cilin e ka hasur në pikën e “Albi Market” që ndodhet afër ndërtesës së Postës kryesore në Prishtinë.   

Ai ka thënë se në raftet e këtij marketi është vendosur produkti i majonezit me flamurin e shtetit zviceran dhe mbishkrimin se vendi i origjinës së këtij produkti është Zvicra, ndërkohë që prapa produktit të majonezit, shkruan me shkronja të vogla se vendi i origjinës është në Maqedoni, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo nuk është hera e parë që marketet në Kosovë, luajnë me qytetarët duke i mashtruar ata në mënyrë të paskrupullt, me qëllim të përfitimit.

Ata reklamojnë produkte të standardeve evropiane ndërkohë që në vend të tyre shesin me çmim më të lirë produkte të rajonit që lënë shumë për të dëshiruar për nga cilësia krahasuar me vendet e zhvilluara ekonomikisht.   

Dukuria e mashtrimit me çmime e produkte të rrejshme për nga vendi i origjinës është mjaft e pranishme në vendin tonë edhe për faktin se autoritetet shtetërore po e lejojnë këtë gjendje nuk po bëjnë sa duhet për gjobitjen e pronarëve të këtyre kompanive.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, mashtrimi hyn në kategorinë e veprave penale. /Gazeta Sinjali/