Përzgjëdhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse thotë se është shumë vështirë të bindësh lojtarët që të përfaqësojnë fanellën ‘dardane’ dhe që ëndërrojnë Kampionatin Evropian.
Giresse mori drejtimin e “Dardanëve” më 23 shkurt 2022, disa muaj pasi FFK shkarkoi Bernard Challandes shkaku i rezultateve negative.
Në një intervistë të gjatë për “Lequotidiendusport”, fillimisht u pyet për krahasimin me Didier Deschamps duke thënë se ky i fundit lojtarët i merr lehtë, gjë që është më e ndërlikuar te Kosova.
“Le të themi se mënyra për ta bërë këtë nuk është saktësisht e njëjtë. Sidomos kur bëhet fjalë për gjurmimin e lojtarëve. Nëse Blutë nuk luajnë në Francë për shumicën, ata kanë një dukshmëri që i lejon Didier t’i ndjekë ata. Për Kosovën është më e ndërlikuar”.
Tekniku francez tutje foli për Xherdan Shaqirin, që përfaqëson Zvicrën, mirëpo mund të kishte luajtur për Kosovën nëse kjo e fundit do të ishte në UEFA dhe FIFA më herët.
“Siç e dini, ky vend (Kosova) lindi nga shpërbërja e Jugosllavisë. Zgjedhja ka ekzistuar zyrtarisht vetëm për gjashtë vjet. Gjatë luftës, shumë kosovarë u larguan dhe u vendosën në vendet evropiane, ku filluan me ekipet e të rinjve. Ky është rasti i Shaqirit për shembull, i cili zgjodhi përzgjedhjen e Zvicrës, por që mund të kishte luajtur për Kosovën.
I pyetur nëse e ka prioritet që të marrë lojtarë të rinj në ekipin e parë, Giresse komentoi rastin e Diant Ramaj, që nuk është lehtë t’i bindësh të vijnë te Kosova.
“Jo prioriteti, jo, por një element i rëndësishëm. Merrni për shembull portierin e dytë të Frankfurtit (shembull: Diant Ramaj, i lindur më 2001), ai është me origjinë nga Kosova, por është një ndërkombëtar gjerman në ekipet e të rinjve. Ka shumë si ai. Nuk është e lehtë t’i bindësh të veshin ngjyrat e vendit të tyre të origjinës”.
“Është një fenomen që e kam hasur shumë në Afrikë, jo i lehtë për t’u zgjidhur. Mbaj mend që kam zgjedhur një lojtar që po kthehej për herë të parë në vendin e tij të origjinës. Ai ishte rritur në Francë, kishte kulturë franceze dhe po kthehej për herë të parë në Afrikë për të luajtur me përzgjedhjen e origjinës së tij”.
Në fund, Giresse nënvizoi se pjesëmarrja në Kampionatin Evropian është një ëndërr që duhet ta realizojnë, por është në dijeni se nuk do të kenë fat në short.
“Ambicia është që ekipi të përparojë. Është një vend i vogël, krejt i ri, një përzgjedhje që ka gjashtë vjet”.
“Të shkosh në Euro, është ende një ëndërr e realizuar… Do ta shohim shortin në tetor (shënim: shorti i grupeve për play-off do të bëhet më 9 tetor), por nuk do të jemi favorit… buzëqeshje), përfundoi Giresse.
Kujtojmë, Kosova do të zhvillojë dy ndeshje zyrtare muajin e ardhshëm, ku fillimisht përballen me Irlandën Veriore më 24 shtator, derisa tre ditë më vonë e presin Qipron.