image Këto janë rezultatet e Kosovës me trajnerin Alain Giresse

Futboll

Këto janë rezultatet e Kosovës me trajnerin Alain Giresse

news image

Kosova i ndau sot përfundimisht rrugët me selektorin e deritashëm, Alain Giresse.

Trajneri francez i ka dhënë fund eksperiencës në Kombëtaren e Kosovës, me të cilën nuk pati rezultate të kënaqshme.

Legjenda franceze u takua sot me krerët e Federatës së Futbollit, me të cilët e nxorën përfundimin që “martesa” mes tyre të marrë fund këtu.

Ndonëse thuhet se bëhet fjalë për një shkarkim, FFK-ja në njoftimin e saj tha se ndarja ndodhi me marrëveshje të dyanshme.

Shtëpia e futbollit kosovar shtoi se largimi i Giresse vjen pas humbjes së fundit nga Bjellorusia.

Gjithashtu, FFK-ja e falënderoi trajnerin për punën e bërë, ndërsa paralajmëroi edhe reforma të tjera në ekipin kombëtar.

Por, si ishte rrugëtimi i trajnerit francez në krye të “Dardanëve”.

Giresse e kishte nisur eksperiencën tek Kosova me një fitore 5:0 ndaj Burkina Fasos në miqësore dhe me një barazim me Zvicrën, 1:1 në mars të vitit 2022.

Tifozët ëndërruan përkohësisht, duke menduar se Kosova kishte rënë në trajnerin e duhur.

Megjithatë, gjithçka më pas shkoi mbrapshtë.

Me Giressen, Kosova i fitoi vetëm tri ndeshje zyrtare, ndaj Qipros dy herë dhe kundër Irlandës së Veriut, krahas asaj miqësore me Burkina Fason.

Gjithashtu, i pati edhe tri barazime në ndeshje zyrtare, me Izraelin, Andorrën dhe Rumaninë, krahas barazimeve në miqësore me Zvicrën, Armeninë dhe Ishujt Faro.

Kosova i pati katër humbje me francezin, të gjitha në ndeshje zyrtare kualifikuese, nga Greqia dy herë, nga Irlanda e Veriut dhe së fundmi nga Bjellorusia.

Në total, me Giressen, përfshirë këtu ndeshjet zyrtare dhe ato miqësore, Kosova i pati 4 fitore, 6 barazime dhe 4 humbje.

Këto rezultate të zbehta e lanë ekipin Verdhekaltër thuajse pa gjasa për t’u kualifikuar në Euro 2024, që ishte objektiv i tyre.

/GazetaSinjali/