image Akuzoheshin se ia morën 50 mijë euro kamatë një qytetari, gjykata i liron të gjithë të akuzuarit për fajde

Drejtësi

Akuzoheshin se ia morën 50 mijë euro kamatë një qytetari, gjykata i liron të gjithë të akuzuarit për fajde

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Agron Shalës, Bashkim Tahirit, Naim Toqanit dhe Osman Toqanit, të cilët po akuzoheshin për veprat penale “fajde” dhe “detyrim”, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili, të akuzuarit janë liruar nga akuza, pasi që nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale të cilat u viheshin në barrë.

Ismaili tha se shpenzimet procedurale janë detyrime buxhetore të gjykatës.

Ai ka udhëzuar palët e dëmtuara që të adresojnë kërkesën pasurore-juridike në kontest civil.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 dhjetor 2016, Agron Shala e Bashkim Tahiri, në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të tani të dëmtuarit, Artan Shala, i kanë dhënë para me fajde.

Aktakuza thotë se në shkurt të vitit 2021, i pandehuri Agron Shala i ka dhënë borxh 16 mijë e 500 euro të dëmtuarit, të cilat i ka marrë nga i pandehuri Bashkim Tahiri, me kamatë mujore nga 1 mijë e 600 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtë kamatë i dëmtuari ia ka paguar të pandehurit Agron Shala deri në muajin mars të vitit 2014.

Pastaj, akti akuzues thotë se, këtë kamatë në gjashtë këste ia ka pagur Bashkim Tahirit. Në emër të kamatës i dëmtuari u ka dhënë të pandehurve 50 mijë euro.

Tutje, thuhet se i pandehuri Agron Shala, në emër të një kësti të kamatës ia ka marrë edhe lokalin me sipërfaqe 12 m2, që gjendet në rrugën “Xhemajl Ibishi” te Koçavët, lokal të cilën i dëmtuari e kishte mbajtur në posedim.

Kështu, gjykata kishte vlerësuar se të pandehurit me këto veprime kanë kryer së bashku veprën penale “Fajdeja”.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Osman e Naim Toqani, në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë të të dëmtuarit, Artan Shala, i kanë dhënë para me fajde.

Akti akuzues thotë se në muajin shtator të vitit 2012, i pandehuri Osman Toqani i ka dhënë të dëmtuarit 5 mijë euro me kamatë nga 500 euro në muaj, ndërsa në dhjetor të po atij viti i kanë dhënë edhe 5 mijë euro të tjera me kamatë prej 500 eurosh, kamatë të cilën i dëmtuari ia ka paguar herë Osman Toqanit e herë Naim Toqanit.

Këtë pagesë thuhet se i dëmtuari e ka bërë deri në shtator të vitit 2014, në shumë të përgjithshme rreth 30 mijë euro, si dhe më pas u ka paguar borxhin në shumë prej 10 mijë euro, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit  në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja”.

Tutje në dispozitivin e tretë të aktakuzës, thuhet se Agron Shala, Bashkim Tahiri, Naim e Osman Toqani, i kanë detyruar të dëmtuarit Artan e Labinot Shala që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, duke i kërcënuar në format më të ndryshme, për çfarë i dëmtuari Artan Shala ka qenë i detyruar të rri i fshehur për një kohë të gjatë.

Akuza thotë se duke u telefonuar anëtarëve të familjes së tyre, u kanë kërkuar shuma të mëdha parash, ndërsa në muajin shtator të vitit 2014, rreth orës 18:00, afër shkollës “Model”, i pandehuri Bashkim Tahiri së bashku me katër persona deri më tani të panjohur kanë ndaluar në rrugë të dëmtuarin Artan Shala.

Tutje, thuhet se më pas në vend të ngjarjes ka shkuar edhe i pandehuri tjetër Agron Shala, i cili e ka telefonuar të dëmtuarin Labinot Shala, duke e detyruar atë që të ju sjellë para.

Të dëmtuarin Artan Shala thuhet se e kanë mbajtur derisa Labinot Shala u ka sjellë shumën e parave prej 2 mijë euro, e pas disa ditësh të pandehurit Agron Shala, Bashkim Tahiri, Naim e Osman Toqani kanë shkuar te objekti “Auto Center”, e cila është pronë e të dëmtuarve.

Aty thuhet se kanë vendosur drynat nëpër dyer të lokaleve dhe kanë kërcënuar motrën e të dëmtuarve, Saranda Shalën, se nëse nuk u jepen paratë do ta kallin objektin.

Ndërsa, tutje akti akuzues thotë se Agron Shala në emër të një kësti të kamatës prej 1 mijë e 600 euro i ka marrë lokalin të cilin e kanë poseduar të dëmtuarit me sipërfaqe rreth 12 m2 që gjendet në rrugën “Xhemajl Ibishi” në Prishtinë dhe në rastet kur të dëmtuarit i kanë vonuar këstet të pandehurit e kanë rritur kamatën deri në 1 mijë euro për çdo ditë vonese.

Me këtë prokuroria pretendon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Detyrimi”./Gazeta Sinjali/