Drejtoreshës për Kulturë në komunën e Suharekës, Lorika Gashit, i është dëmtuar dera e zyrës së saj nga aktori Brahim Basha.
Kështu ka deklaruar për Klankosova.tv vetë drejtoresha Gashi, e cila tha se përveç derës ajo është sulmuar verbalisht e shantazhuar.
Sipas Gashit, krejt ajo se çfarë ka mundur ta shtyjë aktorin Basha që ta bëjë një gjë të tillë është pasi ajo s’ia ka dërguar një përgjigje të ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit se është refuzuar themelimi i teatrit në komunën e Suharekës.
“Këto kanë ardhur nga aktori Brahim Basha. Nuk e di kush qëndron pas kësaj, të jem e sinqertë. Me të dhe të gjithë kam pasur raporte të mira. E kemi bërë një kërkesë për themelimin e teatrit në ministri dhe ata ma kanë kthyer një përgjigje brenda afatit se refuzohet kërkesa pasi s’kemi shtëpi të kulturës, buxhet dhe hapësirë të sigurt për aktorët dhe i njëjti kërkoi që ta ketë përgjigjen e ministrisë, Ajo është zyrtare dhe e brendshme e jona”.
“Unë kam kërkuar nga ai që të bëjë kërkesë zyrtare. Por, thashë në fillim që kjo nuk është arsyeja kryesore dhe as ky personi kryesor pse ka ndodhur ky sulm”, është shprehur Gashi për Klankosova.tv.
Tutje, ajo tha se ndihet e frikësuar nga shkrimet e tij, pasi sipas saj, kur ai ka fuqi të hyjë në zyrat e komunës dhe ta dëmtojë derën e komunës, kjo paraqet frikë edhe për të.
Ndërsa, dje ishte vetë aktori Basha ai i cili në derën e zyrës së drejtoreshës Gashi vendosi disa shkrime si “viagra, shko shit ku e ke vendin drejtoresh dallaverxhike”.
Në lidhje me këtë, policia ka dhënë një version zyrtar në raportin 24 orësh, ku thuhet se rasti shkon në procedurë të rregullt.
“Është raportuar se në derën e një zyrje i dyshuari mashkull kosovar kishte shkruar me marker si shenjë pakënaqësie rreth një projekti. Në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë, transmeton Klankosova.tv.
Kujtojmë se drejtoresha Lorika Gashi, në një postim në llogarinë e saj në Facebook e ka pranuar se me profesion është farmaciste, por shton se nuk ëhstë kufizuar asnjëherë në ambiciet e saj për të konribuar për shoqërinë e vendin.