Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Ramizi tha se ia dhuroi Albin Kurtit një bluzë të gjakosur nga protesta e vitit 2007, për t’ia kujtuar atij rrugën që ka kaluar derisa ka ardhur në pushtet.
Ramizi tregoi se ishte plagosur në atë protestë dhe se bluza është e shpuar me plumb gome në gjoks.
“Është një bluzë të cilën e kam pasur të veshur 13 vjet përpara në atë kohë si aktivist i VV-së ku kam qenë i plagosur, bluza është e shpuar me plumb gome në gjoks dhe është e gjakosur qysh ka qenë. E kam ruajtur qe 13 vjet dhe sot në mëngjes më shkoj mendja t’ia dhuroj kryeministrit për t’i kujtuar rrugën nëpër të cilën ka ardhur deri në kryeministri, sakrificën që e kanë bërë qindra mijëra aktivistë qoftë të arrestuar apo të lënduar”, ka thënë Ramizi për EO.
Këtë dhuratë, kryeministri Kurti e pranoi pas homazheve te pllaka përkujtimore e aktivistëve Arben Xheladini e Mon Balaj në përvjetorin e 13-të të vrasjes së tyre./Gazeta Sinjali/