Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritura aktakuzë ndaj ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj.
“Ju konfirmojmë se Prokuroria Themelore ne Prishtine, më 26.07.2019, ka ngritur aktakuzë kunder personit me inicialet L.A., në drejtim të veprës penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409 te Kodit Penal te Republikës së Kosovës”, ka thënë Ulaj.
Ai është duke u akuzuar për shkak se siç pretendohet në sallën e Kuvendit të Kosovës më 21 mars të vitit të kaluar kishte marrë nga tavolinat e deputetëve 40 kartela që nevojiten për votim.
Sipas aktakuzës, thuhet se më 21 mars 2018, rreth orës 13:44, në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu akuzohet se si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës i ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Prokuroria pretendon se derisa deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë qenë në pauzë, i akuzuari Liburn Aliu është futur në sallën e legjislativit dhe nga tavolinat e deputetëve ka marrë rreth 40 kartela zyrtare për votim, duke pamundësuar zhvillimin e suksesshëm të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës./Gazeta Sinjali/