Gjatë një aksioni kundër fajdeve, Prokuroria Themelore në Prizren sot ka ndaluar dy persona të dyshuar.
Gazeta Sinjali mëson se të arrestuarit janë Frrok Xhuxha (Qoki), person me të kaluar kriminale dhe Anton Domgjoni, i njohur me nofkën Genti.
Frroku dhe Antoni dyshohen se kanë shfrytëzuar gjendjen tejet të rënduar financiare të viktimës dhe të njëjtit i kanë ofruar një shumë të të hollave në formë të borxhit të cilin më pas e kanë ngarkuar me kamata të larta dhe të papërballueshme.
Me këto veprime, Anton Domgjoni dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja në ndihmë”.
Ndërkaq, Frrok Xhuxha si i dyshuar kryesor, po ashtu ka sulmuar fizikisht viktimën dhe të njëjtin e ka kërcënuar që të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij “në atë mënyrë që shkon në shtëpinë e të dëmtuarit, fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplasë telefonin për toke dhe e godet me grushta në pjesën e djathtë ballore dhe gjithashtu me mjet të fortë e godet në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore.”
I njëjti dyshohet për veprat penale: Fajde, detyrim dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/