image Aksioni kundër Call Centrave: Tetë kosovarë dhe dy shtetas të huaj u arrestuan - dyshohen për shpëlarje parash e mashtrim

Siguri

Aksioni kundër Call Centrave: Tetë kosovarë dhe dy shtetas të huaj u arrestuan – dyshohen për shpëlarje parash e mashtrim

news image

Në aksionin kundër qendrave të thirrjeve të njohura si ‘Call Center’ që u zhvillua me urdhër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, u kryen bastisje në disa lokacione të cilat rezultuan me arrestimin e dhjetë personave të dyshuar dhe sekuestrimin e disa provave materiale, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se cak i bastisjeve janë shtëpitë dhe objektet tjera përcjellëse të dhjetë personave të dyshuar për veprat penale ‘Hyrje në sisteme kompjuterike’, ‘Shpërlaje e parave’ dhe ‘Mashtrimi’.

Sinjali mëson se dy nga dhjetë të dyshuarit janë shtetas të Izraelit dhe të Greqisë, ndërsa tetë tjerët janë shtetas kosovarë.

Sipas informacioneve të para të dyshuarit kanë funksionuar si grup i organizuar dhe në emër të një biznesi kanë mashtruar klientë nga vende të ndryshme të botës. Ata dyshohet se kanë përfituar mjete financiare duke bashkëpunuar me biznese tjera fiktive me të cilat kanë lidhur kontrata për ofrim të shërbimeve, teksa me qëllim të fshehjes së burimit të parave, transferet e tyre bankare dyshohet se i kanë deklaruar si të ardhura nga veprimtaria e biznesit.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se ka përfunduar bastisja në shtëpinë e shtetasit izraelit në lagjen Marigona dhe në zyrën e tij te 4 Llullat në Prishtinë, ku kanë sekuestruar dokumente që lidhen me veprimtarinë e tij.

Sinjali mëson se në aksion kanë marrë pjesë edhe Njësiti K9, Njësiti Kundër Krimeve Kibernetike dhe zyrtarë tjerë në asistencë.

Shtetasi izraelit ka qenë tash e një kohë nën masën e vëzhgimit dhe hetimit për shkak të dyshimit se ka konsumuar një varg veprash penale.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja.

/GazetaSinjali/