Inspektorët e komunës së Lipjanit kanë ndërmarrë sot një aksion kundër taksive ilegale te Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, raporton Gazeta Sinjali.
Ky aksion është zhvilluar në orët e mëngjesit, por u përcoll me një incident. Njëri nga shoferët e këtyre taksive u përplas me inspektorët.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari fillimisht ishte ndaluar nga inspektorët dhe pas shqiptimit të tiketës, në shenjë revolte i njëjti i kishte kërcënuar.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari iu është drejtuar njërit nga inspektorët duke i thënë “me ty kam punë se ti m’ke ndalu”.
Përballë kësaj situate, pas përfundimit të aksionit, inspektori që u kanos ka denoncuar rastin në Polici.
Në lidhje me këtë ngjarje është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit është iniciuar rast ndaj të dyshuarit. Kujtojmë se në vazhdimësi inspekcionet në komunat e vendit iu kanë bërë thirrje të gjithë atyre që ushtrojnë veprimtari të transportit të udhëtarëve që t’iu përmbahen rregullave të përcaktuara sepse në asnjë mënyrë nuk do të tolerohet bllokimi i rrugëve dhe trotuareve.