Aktori i njohur i Hollywood-it, Alec Baldwin, dje qëlloi për vdekje drejtoreshën e fotografisë, Halyna Hutchins. Ndërsa drejtori Joel Souza, u plagos, gjatë xhirimit të filmit “Rust”, shkruan Gazeta Sinjali.
Por, në të dhënat e gjykatës thuhet se arma iu dha nga ndihmës regjisori, i cili i tha Baldwin se ajo është e sigurt, shkruan The Independent.
Drejtori asistent i paidentifikuar nuk e dinte se arma përmbante municion të vërtetë dhe la të kuptohej se nuk ishte e mbushur duke thënë me zë të lartë “armë e ftohtë”, thuhet në dokumente.
Aktori 63-vjeçar u mor në pyetje nga organet e sigurisë, por ende nuk është ngritur akuzë për incidentin. Ai ka deklaruar se është duke bashkëpunuar plotësisht me policinë lokale dhe tha se nuk mund ta përshkruaj pikëllimin e tij për aksidentin.
“Zemra ime është e thyer për bashkëshortin e saj, djalin e tyre dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe e kanë dashur Halyna-n. Nuk ka fjalë që mund t’a përshkruajnë tmerrin dhe pikëllimin tim për aksidentin tragjik që ia mori jetën Halya Hutchins-it, një bashkëshorte, nënë dhe kolege shumë e admiruar e jona”, shkroi ai në Twitter.
Halyna Hutchins lindi në vitin 1979 në Ukrainë dhe ishte rritur në një bazë ushtarake sovjetike në Qarkun Arktik. Ajo kishte studiuar për gazetari në Kiev dhe për film në Los Angeles. Në vitin 2019, revista “American Cinematographer” e kishte cilësuar “yll në rritje”.
Kohët e fundit ajo ka punuar si kameramane për filmin “Archenemy”. /GazetaSinjali/