Një person ka vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm në një aksident trafiku në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, saktësisht në fshatin Llapnasellë. Viktima ishte në cilësinë e motoçiklistit me inicialet F.G, 31 vjeçar, raporton Sinjali.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Në aksident ka qenë e përfshirë një motoçikletë, ngasësi i së cilës ka humbur jetën, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga aksidenti”, tha Ahmeti për Sinjalin.
“Vdekjen e viktimës mashkull F.G 31 vjeç, e ka konstatuar mjeku kujdestar në emergjencën e Prishtinës”, tha ajo.
“Trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar për obduksion, ndërkohë që hetuesit nga njësiti i trafikut janë duke u marrë me rastin”, përfundoi Ahmeti.
Ndryshe, policia vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion sepse numri i aksidenteve fatale është shtuar./Sinjali/