I dyshuari për kërcënimin për sulm ndaj spitaleve në Kosovë që alarmoi institucionet e sigurisë më 6 prill, Ajan Kongjeli, ende nuk është kapur nga Policia e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi për këtë rast, duke e publikuar emailin ku Kongjeli kishte paralajmëruar se në sulmin që do t’ua bënte spitaleve “do të ther sa më shumë njerëz”.
Por i njëjti, edhe pse ka kaluar fiks një muaj nga paralajmërimi për sulm, ende nuk është arrestuar nga Policia.
Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Policia e Kosovës ka thënë se: “Lidhur me këtë rast po vazhdojnë hetimet.”
Ndonëse hetimet po vazhdojnë, Sinjali merr vesh se ai po endet lirshëm. Madje Kongjeli javë më parë, erdhi në redaksinë e Gazetës Sinjali në Prishtinë, që gjendet pikërisht para stacionit të Policisë “Qendra”, me kërkesën për ta larguar lajmin që u publikua me emailin që ai e kishte dërguar për sulm ndaj spitaleve.
Kongjeli përmes një emaili kishte paralajmëruar se në cilat institucione shëndetësore do ta kryente sulmin me thikë, duke thënë se “askush nuk mund të më ndaloj”.
“Përshëndetje emri im Ajan Kongjeli & Unë jetoj në Prishtinë Kosovë. Këtë të martë ose nesër në 1PM EST unë do të hyj në spitalet e mia lokale me një thikë dhe do të ther sa më shumë njerëz që mund të spitalet ku do të shkoj janë Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Spitali i Mijëvjeçarit, EUROMED, Ndërkombëtare Spitali, Spitali Amerikan, Sante Plus Spitali i Përgjithshëm i Kosovës, Ars Medica, Qendra laserike e Syrit “KUBATI”, Spitali Rajonal i Mitrovicës dhe Spitali i përgjithshëm. Askush nuk mund të më ndalojë!”