Gazeta Sinjali sot raportoi se një 50-vjeçar, Asllan Leskovci, ka ndërruar jetë në QKUK sot rreth orës 00:45, pasi që nuk kishte arritur t’u mbijetojë plagëve që ka marrë nga një përleshje në parkingun e një pompe derivatesh në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Leskovci ishte dërguar në emergjencë nga i dyshuari, i cili duke e goditur me grushte e kishte rrëzuar me kokë në asfalt.
Sipas familjarëve të 50-vjeçarit, i ndjeri ishte me aftësi të kufizuara.
“Familjari ynë ka qenë me aftësi të kufizuara. Është sulmuar dhe nuk ka mundur ta sulmojë të dyshuarin. Personi e ka sulmuar në kokë dhe pas goditjeve ka rënë në tokë prej ku edhe ka marrë goditjen fatale”, tha për Klan Kosovën Rexhep Leskovci, familjar i tashmë të ndjerit 50 vjeçar.
Leskovci mes tjerash bën të ditur se gjatë ditës së sotme i është dhënë lamtumira e fundit 50-vjeçarit./Gazeta Sinjali/