Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se në ditët në vijim do të fillojnë procesin e ndarjes së granteve për mikrobizneset dhe bizneset e vogla në kryeqytet.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka shkruar se kanë ndarë 5 milionë euro për këtë qëllim, pasi sipas tij, duke marrë parasysh numrin e bizneseve në Prishtinë, kjo është ndihmë e vogël, por për mikro dhe bizneset e vogla mund të jetë domethënëse në pandemi.
Ai ka thënë se procesi do të jetë transparent dhe në formë online, duke vazhduar tutje se kanë ndarë edhe një fond prej 100 mijë eurosh për mediat që janë në Prishtinë.
“Raportimi dhe gazetaria janë tepër të rëndësishme dhe vështirësitë financiare nuk mund të jenë arsye e mbylljes për shumicën prej tyre në këtë kohë. Komisioni për ndarjen do të jetë me shumicë nga vetë përfaqësuesit e këtij grupi me përfaqësuesit e të cilëve jam takuar javën e kaluar”, ka shkruar Ahmeti.