image Ahmeti i del në krah Kurtit pas votimit në Shqipëri

Politikë

Ahmeti i del në krah Kurtit pas votimit në Shqipëri

news image

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është përfshirë në debatin e fundit rreth votimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, të cilat janë mbajtur ditën e diel.

I pari i Prishtinës ka thënë se edhe pse me Kurtin nuk pajtohet në shumë gjëra, votimi në Shqipëri nuk është një prej tyre.

Edhe pse me Albinin nuk pajtohemi në shumë gjëra, votimi në Shqipëri nuk është një prej tyre. Mos harroni, përveç shtetësisë, VV garoi në zgjedhje sot. Në qoftë se asgjë më shumë, një votë më pak për kandidatët e vv nuk është fer ndaj kandidatëve. Në qoftë se kritikojmë dyshtetësinë e kryeministrit kemi më pak kryeministra me njështetësi (Çeku – Kroaci, Thaçi – Shqipëri). Krahasimin në mes të Serbisë dhe Shqipërisë as që dua të mundohem. Ti kthehemi shtesave, vaksinave e krizës ekonomike”, ka thënë ai në reagimin e bërë në Facebook.

Kryeministri Kurti pas votimit në Shqipëri ka thënë se demokracia është sistemi që shqiptarët gjithnjë kanë dashur.

“U ktheva në Kosovë, por paradite isha në Shqipëri për të votuar. Demokracia është sistemi që shqiptarët gjithnjë kanë dashur, dhe votimi është detyrë qytetare për ata që e duan demokracinë”, kishte thënë Kurti.

Ndërkaq, në Shqipëri është duke vazhduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare 2021.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 09:00 janë numëruar 1,488 qendra të votimeve nga 5,199 sa janë në total.

Deri më tani, Partia Socialiste ka marr 204,584 vota apo 49.8 për qind, e ndjekur nga Partia Demokratike me 158,294 vota apo 38.53 për qind. /Gazeta Sinjali/