Achraf Hakimi nuk do të qëndrojë në Borussia Dortmund dhe nuk kthehet as te Real Madrid. Ai do të kalojë në Inter sezonin e ardhshëm.
Agjenti i Hakimit ka zbuluar se trajneri i Realit, Zinédine Zidane duhet të jetë përgjegjës për këtë vendim të futbollistit.
“Zidane është arsyeja e transferimit të Hakimit në Inter. Ai duhet të shpjegojë pse”, tha Alejandro Caman për gazetën marokene “Al Muntakhab”.
Sipas Caman, një rikthim i Hakimit te Reali nuk do të kishte kuptim për Hakimin. Konkurrenca në anën e djathtë të ekipit mbretëror është shumë e madhe me lojtarë si Daniel Carvajal.
“Por unë jam i sigurt se Hakimi do të ketë një të ardhme të ndritshme pas këtij hapi”, tha agjenti.
Ai shpjegon se trajneri italian Antonio Conte ishte gjithashtu vendimtar për vendimin e Hakimit për t’iu bashkuar Interit.
“Ai ishte gjithmonë në kontakt me Hakimin dhe bisedoi me të për të ardhmen e klubit dhe projektin. Kjo është arsyeja pse ne zgjodhëm Interin. Nëse një trainer si Conte flet me ju dhe insiston në të, kjo do të thotë që ju jeni i rëndësishëm dhe ai ju dëshiron”, tha Caman. /Gazeta Sinjali