image Agjencia Kundër Korrupsionit çon në Prokurori ministra, zv/ministra, këshilltarë e gjyqtarë

Drejtësi

Agjencia Kundër Korrupsionit çon në Prokurori ministra, zv/ministra, këshilltarë e gjyqtarë

news image

Agjencia Kundër Korrupsion vetëm për muajin shkurt dhe mars të këtij viti, ka proceduar rreth 60 raste në prokurori për korrupsion, mos deklarim dhe deklarim të rrejshëm të pasurisë së zyrtarëve publikë, ku prej atyre që do të përballen me drejtësinë, bëjnë pjesë edhe zyrtarë të lartë të shtetit.

Drejtori i ri i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, ka konfirmuar se në rastet e dërguara në prokurori nga kjo agjenci, bëjnë pjesë zyrtarë të lartë të shtetit, siç theksoi ai kryeprokurorë, ministra, drejtorë të policisë, gjyqtarë dhe zëvendësministra.

Buleshkaj bëri të ditur se deri tash rreth 50 për qind e zyrtarëve publikë e kanë deklaruar pasurinë në këtë agjenci, ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë për deklarim.

Buleshkaj: 60 raste kemi dërguar në prokurori, për korrupsion, mos deklarim dhe deklarim jo korrekt dhe të saktë

“Janë diku rreth 60 raste që në këta muajt e parë të këtij viti janë dorëzuar në prokurori. Atë që mund të konfirmoj që janë rreth 40 vetëm në muajin shkurt, ndërsa tash në muajin mars janë edhe diku 20 që kanë kaluar në prokurori për shkelje që ndërlidhën kryesisht për mos deklarim dhe për deklarim jo korrekt dhe jo i saktë”, tha ai.

“Po, ajo (ministrja Rozeta Hajdari), është një nga këto raste. Ne te aspekti i deklarimit nuk mund të futemi shumë në detaje, kemi raste potenciale për konflikt interesi si një formë e mundshme e korrupsionit apo shkeljes së ligjit, por atë që mund ta konfirmoj është se ne merremi vetëm me zyrtarët e lartë dhe të gjitha rastet të cilat ne i kemi identifikuar në një formë të shkeljes së ligjit që mund të ketë ndonjë element të mundshëm të korrupsionit janë proceduar në prokurori”.

Ai deklaron se pozita ka edhe të larta deri te niveli i asamblistit ka edhe nga niveli i ministrit, ka gjyqtarë, kryeprokuror, zëvendësministra, këshilltarë, drejtor të policisë, e të tjerë që kanë të bëjnë me rastet që i kanë dërguar në prokurori.

Drejtori Buleshkaj ka thënë se deri në fund të javës kanë deklaruar pasurinë rreth 2 mijë e 500 zyrtarë publikë, nga më pak se 5 mijë zyrtarë që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë.

“Më pak se 5 mijë zyrtarë janë të obliguar kësaj radhe ta bëjnë deklarimin publik, janë afro 4 mijë e 737. Megjithatë në kohën e fundit sa më shumë që po afrohemi te afati i fundit, i cili është 31 marsi, kemi më shumë deklarime”, thotë ai duke shtuar se “deri më tani i kemi 50 për qind të zyrtarëve publikë, të cilët i kanë sjellë te ne formularët e deklarimit të pasurisë, do të thotë janë më pak se 2500”, deklaroi ai për KP.

Buleshkaj shtoi se zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë me kohë, deri më 31 mars, bëhen subjekt i veprës penale.

Për herë të parë pas një vendimi të qeverisë, mjekët e profesorët që punojnë në institucionet publike janë futur në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.

Sivjet për shkak të lirimit të masave për mbrojtje nga virusi COVID-19, të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë në formë fizike në AKK, përveç atyre zyrtarëve të cilët janë larg Prishtinës, atyre iu mundësohet të bëjnë deklarimin edhe në mënyrë elektronike, me email.

/GazetaSinjali/