Vdekja e 17-vjeçarit shqiptar në Itali natën e fundit të vitit që sapo lamë pas po hetohet si vrasje nga pakujdesia.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një pjesë të një ndërtese që strehonte të mitur të pashoqëruar. Ambienti u përfshi nga flakët dhe veç shqiptarit që humbi jetën, dy të tjerë mbetën të lënduar. Prona ishte rinovuar plotësisht në vitin 2016.
Nuk dihet ende se ndaj kujt ka nisur hetimi apo nëse ka persona të dyshuar, teksa pritet një autopsi dhe hetime të mëtejshme për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
“Është herët për të komentuar shkaqet e zjarrit. kemi marrë raporte të ndryshme, por është thelbësore të konstatojmë çdo detaj”, tha prokurori i çështjes.
I mituri shqiptar humbi jetën nga zjarri dhe u dogj rëndë edhe shoku i tij i dhomës, një shtetas ganez 16-vjeçar dhe një kujdestare pësoi lëndime të lehta. Ganezi do të jetë i pari që do të dëgjohet nga karabinierët që po kryejnë sondazhe dhe hetime. /abcnews.al