image Abrashi: Linja ajrore Prishtinë-Beograd do të nisë në kohë rekorde

Kosovë

Abrashi: Linja ajrore Prishtinë-Beograd do të nisë në kohë rekorde

news image

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka deklaruar se nga projektet infrastrukturore, të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, do të krijohet një ndërlidhje më e mirë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, me finalizimin e projekteve hekurudhore, autostradës dhe të tjerave që janë pjesë e marrëveshjes në Washington, do të krijohen shumë vende të reja të punës dhe mundësi për ndërmarrësit e rinj.

Ministri Abrashi ka njoftuar se Autostrada e Paqes, lidhja hekurudhore Prishtinë-Merdare dhe lidhja hekurudhore Nish-Prishtinë janë projekte që synohen të financohen nga Korporata Ndërkombëtare e SHBA-së për Zhvillim Financiar.

Më tej, Abrashi duke folur për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, ka thënë se është duke u përpiluar një marrëveshje me kompaninë ajrore Lufthansa.

Sipas tij, kjo linjë ajrore do të nisë në kohë rekorde.

“Projektet që kanë kaluar, ato që shihen në publik dhe që kanë kaluar në Shtëpinë e Bardhë, pranë presidentit të SHBA së, Donald Trump, janë: autostrada Prishtinë-Merdare, ose pjesa e mbetur e autostradës “Ibrahim Rugova”, që ka një gjatësi prej 27 kilometrash. Dhe, nëse kryhen procedurat shpejt, besoj që brenda 12 muajsh përfundon”, ka thënë ndër të tjera Abrashi për REL.

“Projekti i dytë ka të bëjë me hekurudhat e mbetura, të parehabilituara, që janë jashtë funksionit – [ajo] Fushë Kosovë-Merdare, e cila ka një gjatësi prej 45 kilometrash. Këtu e kemi lënë të hapur mundësinë, nëse traseja ekzistuese do të jetë apo do të bëhet trase tjetër, pasi që dihet që në pjesën që kalon nëpër Prishtinë, ky rrjet apo kjo rrugë ka pasur ndërhyrje të mëdha. Po ashtu edhe tuneli që është i dëmtuar, merr një kosto të madhe të rehabilitimit. Pra, varësisht nëse është kjo trase apo tjetër, ndryshon edhe kostoja”, ka përfunduar ai. /Gazeta Sinjali/