image Abdixhiku: Qasja e Vitisë në autostradë garantohet me vendimin e Qeverisë Mustafa

Kosovë

Abdixhiku: Qasja e Vitisë në autostradë garantohet me vendimin e Qeverisë Mustafa

news image

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka mohuar se me vendimin e djeshëm për anulimin e tenderit prej 50 milionë euro banorët e regjionit të Vitisë nuk do të kenë qasje në autostradë.

Abdixhiku ka thënë se opozita e zënë ngushtë e pa argument, e provon propagandën pasi sipas tij qasja e Vitisë në autostradë garantohet me vendimin e Qeverisë Mustafa të marrë 3 vite më parë.

Abdixhiku ka sqaruar se kyçjen e Gërlicës të Vitisës e kanë paraparë edhe në programin qeveritar LDK-LVV, saktësisht në kapitullin e  8-të.

Postimi i tij i plotë:

Siç edhe ndodh me secilin vendim tjetër të Qeverisë sonë, opozita e zënë ngushtë e pa argument, e provon propagandën. Dhe propaganda e radhës qenka se me ndalesën e 50 milionëshit të djeshëm, ne i kemi lënë banorët e regjionit të Vitisë pa qasje në autostradë. Si arrijnë në këtë përfundim?!

Qasja e Vitisë në autostradë garantohet me Vendimin e Qeverisë Mustafa të marrë 3 vite më parë. Vendimi i anuluar i djeshëm është krejt tjetër – i qeverisë PAN; që përveç se parapërcaktonte në mënyrë arbitrare një firmë të bënte këtë punë, e bënte me çmim plot 50 milionë euro më shumë. E merrni me mend sa kyçja e sa puna bëhet me këtë shumë?

Kyçjen në Gërlicë të Vitisë e kemi paraparë edhe në programin qeveritar LDK-LVV; kapitulli i 8-te, faqe 32. Për dallim prej fjalëve të qeverisë së shkuar, ne do ta bëjmë këtë punë në këtë mandat. Më mirë e më lirë; më drejtë e më pastërt.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e djeshme kishte votuar për shfuqizimin e vendimit të vitit të kaluar nga qeveria Haradinaj për një kontratë me vlerë 49.6 milionë euro me Bechtel & Enka.

Ministri  i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, kishte propozuar shkarkimin e këtij vendimi me qëllim që të shpëtojnë 49 milionë euro për mos vazhdimin e kontratës me konzorciumin Bechtel & Enka për ndërtimin e autostradës Arbër Xhaferri. /Gazeta Sinjali/