Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar rreth aplikimit të qytetarëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku ka thënë se ky aplikim nuk ka fare rëndësi, sepse vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet.
Abdixhiku është shprehur se ky është modeli i pushtetit në vend.
“Kapje e nepotizëm masiv i çdo vendi e çdo ndërmarrje pa dallim; dhe atë hapur e pa brengë. Ata që e arsyetojnë kapjen, që normalizojnë zëvendësimin e një kapësi me tjetrin, le t’iu flasin sot të katër mijë aplikantëve që janë refuzuar sepse s’kishin parti. Le t’i bindin tani – ata e familjet e tyre – se dëshpërimi e ikja nga ky vend nuk është alternativë”, është shprehur ai përmes një postimi në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se gjithashtu kanë ftuar Prokurorinë të nisë hetimet mbi këtë proces, të cilin e ka quajtur skandaloz e korruptiv.
“Nesër do të dorëzojmë dhe kallëzim penal në Prokurori. Kemi ftuar dhe menaxhmentin e KEK-ut të anulojë procesin në fjalë e t’i suspendojë të gjithë anëtarët e Komisionit Vlerësues; dhe të rinisë kështu një proces të ri, të hapur dhe mbi të gjitha të drejtë”.
Mes tjerash ai ka thënë se “Punësimet nepotike nuk janë të reja në vend. Në fakt, ato veçse të reja s’janë. Ky vend ka parë mjaft. Kam dënuar e do të dënojë çdo veprim të tillë, nga kushdo që bëhet, kurdo që bëhet ose është bërë. Jemi në politikë për t’i ndalur këto fenomene, jo ushqyer ato. Në rolin e tanishëm – në opozitë – edhe s’kam shumë mundësi të parandalojë kapjen e nepotizimin. Por në qeverisjen e ardhshme time, konkurset e tilla, nuk do të kapërcejnë pa monitorim nga organizatet e pavarura – vendore e ndërkombëtare. Merreni këtë si zotim publik”.