Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Kurti për mbështetjen e propzimit të tij për anulimin e një kontrate me Bechtel-Enka në vlerë 49.6 milionë euro.
Sipas Abdixhikut, ka kaluar koha kur Kosova, siç thotë ai, jepte miliona pa bazë.
“50 milionë. Në maj të vitit të shkuar, Qeveria e kaluar, kishte marrë vendim – të paprecedentë – t’i zgjasë afat dhe t’i shtojë punë në mënyrë arbitrare konsorciumit Bechtel Enka. Pa tender, pa konkurrencë, pa ofertë – thjeshtë me një vendim. Konsorciumi ndërsa, i kishte kërkuar Kosovës plot 49.6 milionë euro shtesë për tri punë shtesë. Koha kur Kosova jep miliona pa bazë – 49.6 milionë euro më saktësisht – është e shkuar. Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka ngritur këtë çështje urgjente në Qeveri. Qeveria ndërsa, sot, me të gjitha votat për e asnjë kundër, anuloj vendimin për këtë angazhim. Nga koha e vendimit të shkuar e deri më sot mund të jenë shkaktuar dëme financiare të cilat do t’i trajtojmë si shtet me ligj e dinjitet”, ka shkruar ministri në Facebook.
Po ashtu, Abdixhiku, ka thënë se bashkëpunimi mes ministrisë që ai e udhëheqë dhe Bechtel-Enkas, sa i përket dy autostradave përfundon sot, derisa e ka ftuar për konkurrim në projektet e ardhshme.
“Bechtel-Enken, ndërsa, e falenderojmë për punët e bëra deri më tani. Rrugëtimi ynë me dy autostradat e deritanishme përfundon sot. Për çdo angazhim tjetër në të ardhmen janë të mirëseardhur të konkurojnë – barabartë me secilën palë tjetër”, ka përfunduar ministri./Gazeta Sinjali/