image AAK-ja konfirmon takimin me Kurtin, LDK-ja e pavendosur, PDK-ja paralajmëron konferencë

Politikë

AAK-ja konfirmon takimin me Kurtin, LDK-ja e pavendosur, PDK-ja paralajmëron konferencë

news image

Ftesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ende nuk i janë përgjigjur të gjitha partitë opozitare. Vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka dhënë përgjigje pozitive, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për takim lidhur me çështje të rëndësishme për vendin.

Deputeti i kësaj partie, Anton Quni, ka thënë për EO se nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen për takimin ende.

Kurti u ka dërguar ftesa tre liderëve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të enjten, ndërsa vetëm kjo e fundit e ka pranuar atë.

Qeveria nuk ka njoftuar se cilat janë temat e diskutimit, por ka thënë se për çështjet me interes nacional do të konsultohet me partitë opozitare.

Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë megjithatë nuk ka pranuar sqarime shtesë.

Kurti pati thënë më herët se do të thërras partitë politike për të diskutuar rreth procesit të deritanishëm të dialogut Kosovë-Serbi.

Nga ana tjetër, PDK-ja ka paralajmëruar një konferencë për media gjatë pasdites pa bërë të njohur temën. Konferenca pritet të nisë në orën 15:00.

/Gazeta Sinjali/