Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka lënë të nënkuptohet se gjasat për të arritur koalicion parazgjedhor me LDK-në janë të vogla.
Sipas tij VV ka bërë maksimumin për të arritur këtë koalicion mirëpo “LDK nuk dëshiron koalicion parazgjedhor”.
Postimi i plotë i tij, pa ndërhyrje:
Vetëvendosja bëri maksimumin, duke mos paragjykuar as emrin e kandidatit për kryeministër, në mënyrë që gjithçka të vendosej së bashku nga VV e LDK, por me vendimin e pakoordinuar dhe tinzar për të nxjerrë kandidat për kryeministër, LDK tregoi se nuk dëshiron koalicion parazgjedhor.
Kjo sjellje e LDK vazhdon qysh prej një viti, me hezitim e mos-sinqeritet përballë kërkesave transparente e publike të VV për bashkëpunim. Dhe është pikërisht kjo tinzari e LDK që e ka zvogëluar këtë subjekt 10% më pak në sondazhe brenda një viti, ndërkohë që ka rritur VV me të njëjtën margjinë.
Tash, mbetet të shpresojmë që të paktën e mbajnë fjalën për të shkuar në zgjedhje vetëm.
Populli ka marrë vendimin për ndryshim, Vetëvendosje prin, Albini është politikani më i votuar dhe më i mbështetur.