Shqipëria ka shpallur gjendje emergjente pas tërmetit 6.4 ballësh, si pasojë e të cilit deri më tani kanë vdekur 27 persona dhe mbi 600 janë lënduar, poashtu janë shkatërruar edhe shumë ndërtesa dhe shtëpi banimi. Në situatë të ngjashme Kosova ka mjaftueshëm rezerva shtetërore për qytetarët e saj.
Këtë për Gazetën Sinjali, e ka konfirmuar zyra për media e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila në një përgjigje me shkrim kanë thënë se sasia e deponuar e produkteve të rezervës shtetërore është e mjaftueshme nëse paraqitet ndonjë kërkesë për intervenim emergjent.
“Me planin strategjik të rezervave shtetërore të mallrave përcaktohet: krijimi, furnizimi, ripërtëritja, freskimi, përdorimi, shpërndarja, shitja, këmbimi, dhurimi dhe shfrytëzimi, sasia e deponuar e produkteve të rezervës shtetërore, është e mjaftueshme nëse paraqitet ndonjë kërkesë për intervenim emergjent. Plani strategjik dhe programi vjetor i rezervave shtetërore të mallrave me ligjin e rezervave shtetërore është sekret shtetëror”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Sinjali.
Rezervat shtetërore të mallrave, shfrytëzohen për nevoja të furnizimit në raste të luftës apo rrezikut të drejtpërdrejt nga lufta, të fatkeqësive natyrore të përmasave të mëdha dhe katastrofave tekniko-teknologjike dhe ekologjike, të dhënies së ndihmave emergjente shteteve tjera të goditura.
Duke mos dhënë shumë detaje pasi që rezervat në raste emergjente konsiderohen sekrete shtetërore, zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë se rezervat shtetërore përbëhen nga disa produkte dhe janë në përputhje me ligjin.
“Rezervat shtetërore të mallrave përbëhen nga disa produkte, të cilat i kategorizon ligji, dhe kemi vlerësuar se janë të rëndësishme që të krijohen, në këtë rast kemi krijuar bazën themelore të rezervave. Kapaciteti i mbulimit te kërkesave është në bazë të ligjit”, kanë thënë zyra për media e MTI-së për Gazetën Sinjali.
Sipas ligjit, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, shëndetin e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë, trashëgimisë kulturore, mjedisin si dhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Rezervat shtetërore të mallrave në Kosovë sigurohen në bazë të Planit Strategjik afatmesëm tri vjeçar dhe Programit vjetor.
Ndërkaq, plani Strategjik dhe programi vjetor si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekret shtetëror. /Gazeta Sinjali/