image A është shndërruar Asociacioni në kompromis?

Politikë

A është shndërruar Asociacioni në kompromis?

news image

Kompromisi që duhet të bëjë Kosova për ta lëvizur përpara dialogun me Serbinë është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thonë njohës të zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Ata thonë se në këtë mënyrë duhet kuptuar edhe deklarata e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës, për të arritur deri te njohja reciproke me Serbinë, “duhet të bëjë kompromise”.

Autoritetet e Kosovës këmbëngulin se rezultat përfundimtar i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duhet të jetë njohja reciproke, por nga Qeveria nuk e kanë komentuar deklaratën e diplomatit amerikan.

Muhaxhiri: Kompromisi nënkupton formimin e Asociacionit

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ligjërues i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se udhëheqësit e Kosovës duhet t’i kushtojnë vëmendje të posaçme secilit qëndrim të Escobarit.

Sipas tij, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, priten kompromise, por jo të tilla që e prekin statusin e shtetit sovran.

“Ato mund të nënkuptojnë realizimin praktik të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo ndonjë element tjetër, i cili, në asnjë mënyrë, nuk e cenon shtetësinë e Kosovës. Është bërë e qartë që as Bashkimit Evropian dhe as SHBA-së nuk u konvenon një Republikë Sërpska e dytë në Kosovë dhe kjo është larguar nga agjenda”, thotë Muhaxhiri, duke iu referuar entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë që njihet si Republika Sërpska.

Por, shton Muhaxhiri, “është e pritshme dhe e logjikshme që për një kompromis të madh të Serbisë – që është pranimi në ndonjë formë i shtetësisë së Kosovës – edhe Kosova të bëjë ndonjë lëvizje pragmatike”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja. Zbatimi i marrëveshjes në terren, megjithatë, ka ngecur.

Kurti për deklaratën e Kosnett: Nuk mund të ketë Asociacion njëetnik
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, këmbëngul në formimin e tij.

Gogiq: Pa Asociacionin, Beogradi gjen justifikim

Politologu serb, Ognjen Gogiq, i cili vjen nga Mitrovica e Veriut, thotë se e sheh me rezerva deklaratën e Escobarit.

Sipas tij, kjo deklaratë nuk është në harmoni me deklaratat e mëparshme të zyrtarëve amerikanë, se qëllim idialogut është njohja e Kosovës nga Serbia dhe se në këtë pikë nuk ka hapësirë për kompromis.

Gogiq thotë se deklarata e Escobarit më shumë ka të bëjë me përmbajtjen e bisedimeve që ai ka zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd.

Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë qëndruar në Kosovë dhe Serbi në fillim të këtij muaji.

“Në fakt, ata sollën porosinë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen. Porosia e tyre në Prishtinë ishte që Prishtina t’i zbatojë të gjitha ato që i ka marrë obligim, në mënyrë që më pas Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja të mund të bëjnë presion mbi Serbinë që ta njohë Kosovën”.

“Ata e kanë të qartë se, përderisa Prishtina nuk i zbaton të gjitha obligimet e veta, në mesin e të cilave është edheformimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Beogradi gjithmonë do ta ketë arsyetimin se pse nuk e njeh Kosovën dhe pse nuk hyn në marrëveshjen përfundimtare”, thotë Gogiq.

Ofrimi i alternativave të pranueshme

Pavarësisht se Escobar ka deklaruar se Kosova duhet të bëjë kompromise për të arritur njohjen reciproke me Serbinë, çështja e kompromisit nuk përmendet në mesazhet e fundit të zyrtarëve më të lartë amerikanë, presidentit Joe Biden dhe sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, drejtuar Kosovës me rastin e shënimit të 14-vjetorit të pavarësisë së saj, më 17 shkurt.

Ata kanë bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas Muhaxhirit, presioni i faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, është rritur.

I dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak gjatë një konference të përbashkët për media në Prishtinë më 31 janar.

Ai thotë se Escobar, i cili ka marrë pozitën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor në shtator të vitit 2021, ka sjellë energji të re dhe të madhe në raport me dinamikën e dialogut.

Muhaxhiri shpreh mendimin se Escobar e ka një plan lidhur me dialogun dhe se ai i artikulon idetë e Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me këtë proces.

Kjo në asnjë mënyrë nuk guxon të hasë në indiferencë nga ana e lidershipit kosovar, por duhet të ketë mobilizim të madh të të gjitha potencialeve, të brendshme dhe të jashtme, institucionale dhe jashtë-institucionale, në mënyrë që Kosova të jetë kreative në ofrimin e alternativave, të cilat janë të pranueshme për aleatët tanë ndërkombëtarë, si dhe për Serbinë, por që nuk e dëmtojnë substancën e shtetësisë së Kosovës”, thotë Muhaxhiri.

“Kosova nuk ka çfarë të ofrojë si kompromis”

Politologu Gogiq nuk pret ndonjë presion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Qeverisë së Kosovës lidhur me ndonjë kompromis eventual, në mënyrë që të hapet rruga për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Kosova, sipas tij, “nuk ka se çfarë të ofrojë si kompromis”, ndërsa kërkesat e SHBA-së ndaj Kosovës, shton ai, kanë qenë qartë të radhitura edhe gjatë takimit të Escobarit me krerët institucionalë të Kosovës.

Ai thotë se Kosovës i është kërkuar formimi i Asociacionit, respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kthimin e 24 hektarëve tokë dhe pyll të Manastirit të Deçanit, si dhe lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, në mënyrë që më pas presioni ndërkombëtar të kalojë mbi Serbinë.

Formimin e Asociacionit, thotë Gogiq, Kosova e ka marrë obligim duke e ratifikuar marrëveshjen për të edhe në Kuvendin e saj.

Ai thotë se Serbisë i konvenon që Kosova të mos e formojë Asociacionin, sepse kjo i shërben si shkas që të mos e vazhdojë dialogun. ​

“Unë mendoj që mosformimi i Asociacionit është vetëm justifikim dhe Serbia dëshiron që Asociacioni të mos formohet dhe në këtë mënyrë të ruhet status quo-ja. Mendoj që ajo çfarë nënkuptohet me kompromisin, është formimi i Asociacionit”, thotë Gogiq.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se a ia kanë bërë të qartë zyrtarët amerikanë se çfarë nënkupton kompromisi, të cilin e përmend Escobar, si dhe a është e gatshme Qeveria të ofrojë ndonjë formë të kompromisit për njohje të ndërsjellë me Serbinë, por, deri në publikimin e këtij teksti, Qeveria nuk është përgjigjur.

/GazetaSinjali/