image A është Kosova e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës?

Politikë

A është Kosova e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës?

news image

Për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, Kosova duhet t’i pranojë parimet e sundimit të ligjit, ndarjen e pushteteve, zbatimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të sigurohet që e mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet.

Legjislacioni i miratuar dhe zbatuar sipas parimeve të sundimit të ligjit dhe standardeve e normave të të drejtave të njeriut, është element thelbësor në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, thotë drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Kosova më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se vendimin për aplikim në Këshillin e Evropës, Kosova e ka marrë në kohën e duhur dhe beson se vendi do të anëtarësohet në këtë mekanizëm.

“Deri më tani nuk kemi hasur asnjë rezistencë të besueshme, që na lë të kuptojmë se procesi mund të jetë i rrezikuar. Natyrisht, ne do t’i respektojmë të gjitha procedurat, do të jemi shumë të sinqertë, shumë të përkushtuar dhe seriozë gjatë gjithë këtij procesi. Dhe, ne shpresojmë që Kosova t’u takojë atyre shteteve, të cilave iu është dashur një kohë më e shkurtër për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”, ka theksuar Gërvalla, më 13 maj, në një konferencë për media në Prishtinë.

Aplikacionin për anëtarësimin në KE e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Ehat Miftaraj thotë se disa nga kriteret Kosova i ka plotësuar disa vite më herët,

por ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, konsideron se vendi mund të përballet me sfida gjatë rrugëtimit për anëtarësim.

Sipas Miftarajt, Kushtetuta e Kosovës përcakton se ndarja e pushteteve është e qartë dhe ka garanci të larta sa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Qëllimi i Këshillit të Evropës është që shteti, me Kushtetutë dhe me ligje, të garantojë parimet e sundimit të ligjit, ndarjen e pushteteve dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Fatmirësisht, Kosova me Kushtetutë jo vetëm që i respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, por në shumë raste i tejkalon ato, në kuptim të diskriminimit pozitiv të komuniteteve joshumicë. Edhe pushtetet janë të ndara”, vlerëson Miftaraj.

Pushtet shtetëror në Republikën e Kosovës janë pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe ai gjyqësor. Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron pushtetin legjislativ. Qeveria ushtron pushtetin ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet. Ndërsa, pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat.

Po ashtu, në bazë të Kushtetutës, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.

Komunitetet minoritet të njohura me Kushtetutë në Kosovë janë: komuniteti serb, ai boshnjak, rom, ashkali, egjiptian, goran dhe turk. Dy gjuhë zyrtare në nivel vendi janë gjuha shqipe dhe serbe, kurse sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha turke, boshnjake dhe rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në komunat ku jetojnë së paku pesë për qind e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, çdo pjesëtar i komuniteteve ka të drejtë që të shprehë, të avancojë dhe të zhvillojë lirisht identitetin dhe atributet përkatëse si komunitet. Në bazë të Kushtetutës, nga 120 ulëse në Kuvend, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera.

Ndër të tjera, në Kushtetutë thuhet se Republika e Kosovës do të promovojë frymën e tolerancës, dialogut dhe do të mbështesë pajtimin ndërmjet komuniteteve dhe do të respektojë standardet e përcaktuara me Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe me Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave.

E, në rast të shkeljeve të të drejtave të tyre të garantuara me ligj nga organet administrative apo gjyqësore në vend, Miftaraj thotë se qytetarët e Kosovës pas pranimit në Këshillin e Evropës, do të kenë mundësi t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg.

Jashari: Rrugëtimin e anëtarësimit do ta përcjellin sfida

Por, ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë se ekzistojnë probleme në sistemin e drejtësisë, sidomos në zvarritjen e procedurave gjyqësore.

Autoritetet kompetente duhet të bëjnë reformat e duhura, në mënyrë që kur të vijë momenti për anëtarësim në KE, të jenë të përgatitura, pasi, sipas tij, kanë kohë në dispozicion për t’i minimizuar problemet aktuale.

Megjithatë, Jashari konsideron se kjo nuk do të paraqiste problem për anëtarësim në Këshillin Evropës.

“Nuk mund të ketë një llogari matematikore që vlerëson nivelin e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Por, kemi probleme të dukshme. Dihet niveli i sistemit gjyqësor sa është në gjendje të përballet me trajtimin e lëndëve të qytetarëve”, thekson ai.

Numri i lëndëve të pazgjidhura në sistemin e drejtësisë deri në fund të vitit 2021, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, është mbi 220 mijë.

Jashari vlerëson se vetë fakti se një numër i madh i konventave ndërkombëtare, ku hyjnë edhe konventat e Këshillit të Evropës që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut, janë zbatuar në Kosovë, tregojnë se Kosova mund të anëtarësohet në këtë mekanizëm.

Kosova ka bërë zotimin që nga përfundimi i luftës, sepse Konventën Evropiane, Konventën kornizë për mbrojtje të pakicave dhe Konventën kundër torturës, i ka futur në sistemin e saj juridik dhe i ka zbatuar në mënyrë vullnetare”, shprehet ai.

Edhe pse Kosova nuk është shtet anëtar i KE-së, sipas Institutit GAP – Instituti për Hulumtime të Avancuara – ajo zbaton disa nga Konventat e Këshillit të Evropës si: Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, Kornizën e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare, Kartën Evropiane të Gjuhëve Rajonale dhe Minoritare.

Gjithashtu, shumë ligje të Kuvendit të Kosovës dhe rregullore të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), u referohen konventave specifike të Këshillit të Evropës.

Çka thonë raportet ndërkombëtare për Kosovën?

Në raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, Departamenti amerikan i Shtetit tha se në Kosovë çështjet e rëndësishme të këtyre të drejtave përfshinin raporte të besueshme për: kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet për dhunë gazetarëve; korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin dhe krimet që përfshijnë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj pakicave etnike ose komuniteteve tjera të margjinalizuara.

Sipas DASH-it, Qeveria, ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut, por nganjëherë nuk kishte qëndrueshmëri në veprime.

/GazetaSinjali/