Mungesa e trotuareve shpesh vështirëson lëvizjen e lirë të qytetarëve në kryeqytet. Pothuajse shumica e trotuareve janë në vazhdimësi të bllokuara me automjete të parkuara, çka i shtynë Policinë e Trafikut të marrin masa, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë një aksioni të tillë të shtunën në mbrëmje, Policia hasi në pengesa, me ç’rast zyrtarët policorë u kërcënuan nga një qytetar, i cili po ashtu e kishte parkuar veturën aty ku s’duhej.
Veprimet e policëve e penguan të dyshuarin, i cili nuk bashkëpunoi me Policinë, por pa nguruar i kërcënoi seriozisht. Burimet nga Prokuroria thonë se i njëjti iu është vërsulur zyrtarëve policorë, të cilët i paralajmëroi se do ta pësojnë keq.
“Sherrin keni me ma pa, a e hekni uniformën najherë ju – s’pe dini me kon keni punë”, dyshohet të jenë disa nga fjalët me të cilat i dyshuari iu është drejtuar policëve, thonë burimet e Sinjalit.
Përballë kësaj situate, Policia u detyrua ta vë nën kontroll personin e dyshuar, duke e arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave në Polici, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të njëjtit, me dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.