Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është deklaruar pas vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e votave të ardhura me postë jashtë Kosovës, të ardhura me vonesë.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, ka thënë se janë në pritje të marrjes së vendimit.
“Ne do të presim që ta marrim vendimin, për të parë të gjithë përmbajtjen, dhe do t’iu mbajmë të informuar në kohë për procedimin e mëtejmë, konform detyrimeve ligjore që kemi si institucion”, është shprehur ai.
Lëvizja Vetëvendosje ka marrë sot vendimin nga Gjykata Supreme e Kosovës ku konfirmohet e drejta e bashkatdhetarëve tanë dhe hapet rruga për numërimin e pakove me vota të ardhura prej tyre.
Kjo parti ishte ankuar në vendimin e PZAP, me të cilin nuk lejohej numërimi i 4639 zarfeve me vota, pasi kishin arritur me vonesë në Kosovë. Në ankesën e dytë të Vetëvendosjes, Gjykata Supreme vendosi që KQZ të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve të ardhura jashtë Kosovës./Gazeta Sinjali/